← Lajme

21 tetor 2026

Tryeza tematike mbi integrimin e aftësive për jetën në arsimin e mesëm

Në kuadër të projektit “Ndërtimi i aftësive, Formësimi i të ardhmes – Në rrugën drejt integrimit në BE”, u organizuan dy tryeza tematike me përfaqësues të shkollave, bizneseve dhe aktorëve të tjerë të arsimit nga zonat e jugut, qendrës dhe veriut të Shqipërisë.

Në fokus të diskutimeve ishte integrimi i aftësive për jetën në arsimin e mesëm, me synim identifikimin e nevojave konkrete të shkollave, sfidave që hasen në praktikë dhe mundësive për ta bërë këtë proces sa më funksional dhe të lidhur me realitetin e nxënësve.

Përfaqësuesit e shkollave ndanë përvojat e tyre mbi mënyrat se si aftësitë për jetën trajtohen aktualisht në procesin mësimor, aktivitetet ekstrakurrikulare dhe punën me nxënësit. Diskutimet evidentuan gjithashtu nevojën për mbështetje të vazhdueshme të mësuesve, materiale praktike dhe metoda më interaktive, të cilat mund ta lehtësojnë integrimin e këtyre aftësive në punën e përditshme në shkollë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të bizneseve dhe punëdhënësve, si partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e aftësive praktike, orientimin për karrierën dhe përgatitjen e të rinjve për kalimin nga shkolla drejt tregut të punës. Pjesëmarrësit diskutuan mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit shkollë–biznes përmes vizitave, takimeve me profesionistë, aktiviteteve praktike dhe formave të tjera të angazhimit.

Përmes punës në grup dhe diskutimit të hapur, pjesëmarrësit dhanë rekomandime mbi përmbajtjen, mënyrat e zbatimit dhe format e mbështetjes që mund të ndihmojnë në zhvillimin më efektiv të aftësive për jetën tek të rinjtë.

Dy tryezat tematike përbënë një hap të rëndësishëm në procesin e konsultimit me aktorët lokalë, duke sjellë së bashku perspektivën e shkollave, institucioneve arsimore dhe sektorit privat. Gjetjet dhe rekomandimet e mbledhura gjatë këtyre takimeve do të kontribuojnë në zhvillimin e një qasjeje sa më praktike, gjithëpërfshirëse dhe të përshtatur me nevojat reale të shkollave dhe nxënësve